Home
Mjeku Musliman - Shpirti i shendoshë në trup të shendoshë
Shejtani dhe Egoja ! Reviewed by Momizat on . Kur Ademi dhe Havaja, prindërit tanë, prej të cilëve, buron tërë lloji njerëzor, e hëngrën pemën e ndaluar, ishte çfarë ishte ajo, e dimë ne të gjithë, sipas as Kur Ademi dhe Havaja, prindërit tanë, prej të cilëve, buron tërë lloji njerëzor, e hëngrën pemën e ndaluar, ishte çfarë ishte ajo, e dimë ne të gjithë, sipas as Rating: 0
You Are Here: Home » Mëso Islamin » Shejtani dhe Egoja !

Shejtani dhe Egoja !

Kur Ademi dhe Havaja, prindërit tanë, prej të cilëve, buron tërë lloji njerëzor, e hëngrën pemën e ndaluar, ishte çfarë ishte ajo, e dimë ne të gjithë, sipas asaj që na tregon Allahu i Lartëmadhërishëm në Kuranin Fisnik, se këtë konspiracion e përgaditi Iblisi, djalli, i cili në esencë është xhinn. Pra ai i mashtroi njerëzit e parë, duke ua përkujtuar përjetshmërinë, pavdekësinë, pasi e dinte ai, se krijesa me logjikë dhe racio, ka frikë nga vdekja, ka frikë nga shuarja, ka frikë nga zhdukja, ka frikë nga mbarimi! Dhe pas kësaj Ademi dhe Havaja, e hëngrën pemën… dhe zbritën në Tokë! E pas kësaj ndodhie, Zoti ynë na tërheq vërejtjen neve duke na thënë që të mos biejmë edhe ne pre e mashtrimeve dhe kurtheve të tij djallëzore.
Ata krijesa, që kanë logjikë dhe epsh, Allahu i ngarkoi me adhurim dhe ibadet! Pra që i bie se ato krijesa, me racio dhe epsh, janë vetëm njerëzit dhe xhinnët. Pra, me racio, njihen gjërat. Ndryshe nga kafsha që i njeh ato dhe bën dallimin e tyre me instikt!
“Nuk i krijova xhinët dhe njerëzit pos që të më adhurojnë!” (Dharijatë 56)
Meqë Ademin dhe Havanë, i mashtroi shejtani, por, vjen pyetja tjetër, e cila pashmangshëm parashtrohet brenda nesh: “Po vallë, kush ishte shejtani që e nxiti shejtanin, Iblisin, që t’i mashtroj prindërit tanë, dhe shumë të tjerë pas tyre?!”
Ndokush thotë: Se çdo shejtan e ka me vete nga një shejtan. S’mbanë kjo! Po ta zëmë që është kështu. Por kush ishte shejtani i shejtanit që po nxitë në botë për në të keqe?! Dhe shkojmë, shejtan pas shejtanit, shejtan pas shejtanit, përsëri pyetja do të jetë, i pari i tyre kush është?!
Vallë, a thua se çdoherë shejtani – djalli i mashtron njerëzit dhe i nxit nga e keqja?!
Vallë a thua se çdoherë është djalli – shejtani ai i cili i përshprit njeriut për të keqe?
Çfarë na thotë Zoti ynë i Madhërishëm mbi këtë gjë?!!
“Ne e krijuam njeriun dhe e dimë se çfarë përshpërit nefsi, egoja, uni i tij. Ne Jemi më afër tek ai se sa damari i qafës së tij!” (Kaf 16)
Sipas kësaj Fjale të Zotit, njeriu paska një përshpëritës të vetin brenda vetes, i cili nuk i ndahet atij kurrë, e ka të instaluar nga i Gjithëdijshmi atë, por ai përshpëritës nuk e ka emrin shejtan, por e ka emrin Ego apo Vetja! Ai përshpiritës, madje as edhe pas vdekjes nuk i ndahet njeriut, e di përse?! Sepse njeriu ka shumë dëshirë që edhe në përcjelljen e arkivolit të tij, të ketë shumë njerëz që do ta qajnë, e që do të flasin fjalë të mira për të, e ai të mburret me këtë gjë. Madje Egoja edhe në gjumë nuk i ndahet njeriut, sepse edhe në ëndërr ai sheh se si bëhet pushtetar dhe sundon njerëzimin. Pra, dëshirën e tij që e imagjinon zgjuar, në Mejdanin Fizik, ai e plotëson atë në Mejdanin e tij Metafizik!
Çfarë do të thotë shejtan?
Në fjalorin e njohur arab. – arab. El-Meanij” kuptimi i fjalës shejtan është kjo:
الشَّيْطانُ : كلُّ متمرِّد مفسد
“Shejtan është çdo rebel, dëmtor!”
Pra sipas kësaj, shejtan nuk është vetëm krijesa e padukshme, e quajtur xhinn. Por shejtan është çdo xhin dhe njeri, i cili i përkulet Egos së tij dhe ndiqet pas urdhërave të saja të liga. E si rrjedhojë edhe shkakton trazira. Pasiqë sipas Kuranit, edhe njeriu i keq e mbanë emrin shejtan. Sepse, shejtan do të thotë dëmtor i madh. Iblisi u bë shejtan, që nga momenti kur iu përkul egos së tij të pushtetshme dhe nuk iu përkul Ademit a.s. por tha Unë!” jam më i miri se ai!”
Kur’ani thotë “Shejtani është armiku juaj!”
Sa armiqë ka njeriu? Dy! Por cili është më i fortë se tjetri dhe cili është i pari?!
Më lartë e prekën historinë njerëzore, dhe kuptuam që njeriun e parë e ka mashtruar shejtani. Por Arsyeja, ishte shejtani apo diçka tjetër?! Arsyeja ishte diçka tjetër. Po kush ishte?! Në esencë ishte dëshira egoiste e babait tonë-Ademit dhe e nënës tonë-Havasë, sepse ata të dy pëlqyen përjetësinë, deshtën pavdekësinë, deshtën komoditetin dhe qejfin në atë parajsë provokative e joshëse! Aq sa dhe për t’ia plotësuar dëshirën egos së tyre, ata të dy thyen besën që ia dhanë Atij që i krijoi.
Unë themë që armiku i parë është egoja e njeriut.
Mirë, por më i forti?! Shejtani apo egoja?!
Ç’thotë Kur’ani për shejtanin?
“Vërtetë kurtha e shejtanit është e dobët!” (Nisaë 76)
Por për armikun tjetër Egon ç’thotë Kurani?
“Unë nuk e shfajsoj Unin, Egon time. Sepse ajo, (egoja) është nxitës për të keqe. Përveç atë që e ka mëshiruar Zoti im!” (Jusuf 53)
“..dhe kush ia ka frikën Zotit të tij, dhe e ndalon Egon e tij nga lezetet, epshet!”
“A e ke parë atë që e ka marrë për zot Egon e vetë..!”ego
“Thuaj: U erdhi nga egoja juaj”! (Ali Imran 165)
Pra, njeriu e len anash armikun e brendshëm, nuk e trajnon si duhet atë, dhe të gjitha fajet ia len shejtanit. S’është e drejtë kjo, e as njohje e së vërtetës!
Nëse kthehemi tek historia e Habilit dhe Kabilit, do të gjejmë që, në vrasjen e Habilit, shejtani nuk ka gishtë fare, është i pafajshëm, aq sa është i pafajshëm ujku në ngrënien e Jusufit alejhis-selam. Sepse Allahu në Kur’an për vrasjen e Habilit nga duartë e Kabilit thotë kështu: “Egoja, Uni, epshi i tij e bindi atë për mbytjen e të vëllait dhe e mbyti!”
Tek Ademi alejhis-selam Zoti i madhërishëm tregon se shejtani iu betua atyre të dyve dhe i mashtroi, por këtu tek Vendimi i Kabilit nuk e përmend fare shejtanin, por e përmend lezetin e Kabilit, dëshirën e tij egoiste!
Përshpëritjet mendore, obsesionet, më tepër i kaplojnë inteligjentët. Dhe ata kanë në jetë ankthe të ndryshme përjetojnë. Sepse forca e mendjes së tyre dhe uni i ngritur i tyre, ka fuqi që ti hapë të gjitha hambaret e dynjasë. Shejtani të çmendurin nuk e ngacmon asnjëherë! Kurse shumë lehtë e ka me të. I përshpërit, dhe ai bën krime.
Sa njerëz bëjnë gabime? Kush i mashtron? Çdoherë shejtani? Por pas pendimit gabimtari njeri ndjehet i penduar. Kush ia kujton tani atij që të pendohet? Shejtani? Jo! Por këtë e bën Uni i tij, sepse Zoti brenda unit të njeriut instaloi instiktin djallëzor, instiktin për të bërë keq, por, instaloi edhe instiktin që quhet instikti i pendesës, i pishmënllëkut, që ai të pendohet, nëse do apo nëse nuk do, pra është zgjedhje e tij, e nuk është imponim i Zotit. Sepse nuk ishte imponim i Zotit as në fillim që ai ta bënte gabimin. Pra, siç thashë më lartë, njeriu është i prirur edhe për të bërë keq, edhe për të bërë mirë, edhe në fund o të pendohet, o të ndihet i kënaqur nga gabimi i bërë. E kjo e fundit përse?! Për shkak, se në atë atmosferë e ka trajnuar ai Unin e vetë!
Një njeriut i ka shkrepur mendja për amoralitet. U ankua tek një njeri i mirë. Ai i tha përmende Zotin, sepse po të ngacmon shejtani. E ai kishte përmendur, kishte bërë dhikër. Në zemër kishte ndjerë qetësinë, por, ja që mendimi nga mendja akoma nuk i ishte larguar. Ku shkoi tani shejtani i cili e ngacmonte, akoma është aty? Pse nuk hiqet nga gjithë ai dhikër e forcë imanore e shpirtërore?! Aq i fortë është ai? I fortë është ai, sepse nuk ishte ai, por ishte përshpëritja e vetë nefsit – egos së atij njeriut, sepse sipas Kur’anit, shejtani është i dobët dhe nga një pjesë lexim Kurani dhe dhikër ai ndahet, ik nga njeriu. E braktis atë. (pos në raste të veçanta kur xhindi e ka zaptuar njeriun dhe është i lidhur me magji, por, tjetërgjë është kjo)
“Kur ata i ngacmon shejtani dhe përkujtojnë Allahun, pastaj ata shohin!” (Aarafë 200)
Pra, nga ajeti i mësipërm, kuptojmë që shejtani nuk i reziston dot leximit të Kuranit dhe dhikrit.
Pra, arsyeja se pse mendimet e tij nuk pushojnë akoma, është se nefsi – egoja e tij, e cila është e ushqyer dhe e edukuar keq kohë të gjatë, e tani, për një pasdarke, ajo nuk mund të rregullohet, të edukohet, të ndreqet, të rimëkëmbet, të shërohet, të qetësohet, sepse është proces i gjatë, që njeriu ta merr nën kontrroll Unin e tij, pas gjithë asaj kohe bukur të gjatë që ai e ka njëllosur e lodhur atë. E këtu të kuptojmë se, armiku më i fortë dhe më i ashpër i njeriut, është Nefsi – Egoja e tij, e jo shejtani.
Sipas përvojës nga rukja, shumica e dimë që shejtani, ka mundësi tek njeriu të shkaktojë edhe probleme fizike, e jo vetëm psikike. E pse, kur njerëzit kanë dhimbje fizike nuk ia gjuajnë shejtanit, por tek ata psikike ia hedhin shejtanit. Sepse, njeriu ka vështirësi të luftojë me Egon e vetë, e si rezultat, ai ia gjuan shejtanit, dhe fillon të kërkojë medet për atë!
Ndaj dhe unë besoj bindshëm se, sëmundjet psikologjike, përshpëritjet dhe mendimet e egos, janë shumë më të vështira nga ngacmimet djallëzore. Pasiqë, ngacmimi dhe prekja e xhinëve dhe e djajve është problem fallco, jo i realtë. Kurse ajo psikologjike, i ka rrënjët diku thellë brenda egos së njeriut! Ndaj dhe e quajë këtë: Problem të Prekshëm!
Këtë e thotë edhe Kur’ani shumë herë.
Gruaja e ministrit kur iu vërsul Jusufit alejhis-selam, Allahu i përmend në shenjë konfirmimi, fjalët e grave – shërbetoreve të gruas së ministrit, Zulejhasë, duke thënë: “Gruaja e zotëriut i vërsulet marrëzisht shërbetorit të vetë, atë e ka kapluar në shpirt dashuria!”. Në gjuhën arabe ky citat është kështu “Kad shegafeha hubba! “
Shegef arabisht është dashuri pasionante, instiktive-seksuale! E që lind natyrshëm te njeriu.
Apo edhe ngacmimet seksuale dhe të dashuriçkave i ngacmon djalli?! Poqese ndodhë edhe kjo, kryekëput nga djalli, atëherë njeriu qenka vetëm një robot, dhe brenda tij ska asgjë fare, as emocione, as instikte, as ndjenja, e si rrjedhojë ai qenka robot, që shejtani e tërhiqka nga të dojë ai. E atëherë sduhet marrur në llogari!
Ndokush thotë që, egoja e kryen punën kurse shejtani egon e ngacmon. Po. Por jo kryekëput! Sepse plotë njerëz ka që janë ibadetxhi të mëdhenj, dhe përsëri kanë ngacmime të ndryshme mendore. Shejtani nga ibadeti, shkoi, iku, (patjetër) e tani përse përsëri mendime dhe obsesione impulsive, mendime mbizotëruse. Pastaj, Egoja e njeriut, është vetë shejtan në vetvete, më e fortë se shejtani i jashtëm që ka krijimtari xhindore, nuk i duhet asaj të pres goditjen djallëzore, që ajo të filloj vetë të punoj! Madje, ka shejtan – xhin të cilët frymëzohen nga egoja e keqe e njeriut, për ta shtuar të keqen në mesin e njerëzve, për shkak të forcës dhe aftësisë së madhe të logjikës që ka njeriu. Këtë e thonë edhe kuruesit me Kur’an.
Shejh Halid el-Hibshi, njëri ndër kuruesit e mëdhenjë të botës, që merret me sëmundjet shpirtërore, më patë thënë që teksa tek një rastë, kishte komunikuar xhini nga trupi i të sëmurit, i kishte thënë atij se, mos na i hudhni fajin vetëm neve xhinëve që jemi në trupin e kësaj gruaje, sepse ky çiftë bëjnë nga vetja e tyre gjëra që neve kurrë s’na shkojnë dot ndërmend!
Në muajin e Ramazanit shejtani drynoset, po përkulës të së keqes ka plotë. Pse?
Shejtani në xhami nuk futet fare, e sa sherre bëhen nëpër xhamia? Kush i bën? I bën egoja – nefsi i keq, e kanalizuar vetëm kah e keqja. E di ti që nëse shejtani i ka përshpëritur njeriut diç në mendjen e tij, dhe kur ai largohet, njeriu më nuk ndjen asgjë, sikur ti ishte larguar me dorë… kurse ato ide, që janë thelluar në skutat e Egos, ato gjithmonë i përshpërisin njeriut….
Njeriu egon e tij kurrë, asnjëherë, nuk ka mundësi ta shuaj, madje, edhe kjo nuk kërkohet prej tij, por kërkohet ai ta edukoj atë, që të mos ia merr të drejtën shpirtënisë!
Njerëzit falen, agjërojnë praktikojnë fenë me seriozitet, dëgjojnë dhe lexojnë Kuran, por ja që, nëpër mendjen e tyre përsëri sillen ide negative… dhe kur ankohen u thonë, “Eh, shejtani këto i ka, ai mundohet kështu, mundohet ashtu!” T’i thua se ai e ka shokë djallin që e di se ai bën këtë apo tjetrën trik, pra aq fije e për pe të tregon. Kurse koshienca e tij, i referohet veprimeve, trikave dhe strategjive të Unit të tij dhe krejt këto ai ia ngjetë shejtanit.
Kryesorja në fund përsëri t’ia lënë shejtanit… por kjo është gabim, sepse as Kur’ani po as logjika s’na thotë neve kështu!
Kur’ani thotë: “Nuk ka potencial shejtani mbi ata të cilët janë të devotshëm!”
Nëse shejtani nga i devotshmi iku, çfarë ishte ajo që i bëri shumë të devotshëm të lajthitin e të pengohen?!!
“Njeriu shumë gjërave u del përpara, vetëm instikteve të tij e ka të vështirë!” – Sigmound Frojd.
Ai poashtu e thoshte edhe këtë “Njeriu i duron kritikat, por lëvdatat si duron dot!” Që do të thotë se lëvdatat ia mbushin mendjen top, se ai është… ai! Dhe ngadalë-ngadalë, atë faraonin e vogël që e ka brenda vetes, fillon ta rrit, e pastaj ai e rrëmben dhe e rrëzon!
Pastaj, nëpërmjet kësaj, se vetëm shejtani e ngacmon njeriun, ndodh edhe një ngërç tek njeriu, sepse ai tani do merret vetëm me dëbimin dhe heqjen e shejtanit nga vetja (e që realisht 93 % të obsesioneve i ka nga vetja) ca prej tyre, nga rukja në rukje, nga kufja në kufje, pra ai stagnon edhe në pastrimin dhe edukimin e egos së tij. Shejtanin e dëbon Kur’ani, dhikri, pavarësisht truri yt a i kupton ato apo jo, por Nefsin – egon nuk e pastrojnë vetëm këto. Atë e pastron Kurani që ti ta kuptosh, ta meditosh atë, të veprosh sipas tij, e vepra e vepra të shumëta. Proces deri në hyrjen në Xhennet. Pasi egoja do të ngjallet edhe në ditën e gjykimit, përpara Allahut, kur njeriu do të tentojë të gënjejë përpara Tij për shumëçka, e të gjithë e dimë se atë ditë çdo krijesë, duke përfshirë edhe shejtanët, do të kenë gajlen e vetë, e jo gajlen për të mashtruar të tjerët!
Kur’ani na thotë që pasi t’i ketë futur Allahu në Xhennet robërit e Tij të mirë, do t’ua heq zilinë nga zemra. Pra, megjithë që do ta kenë zilinë nëpër zemra, Ai do t’i fut në Xhennet. Pse? Sepse me zilinë njeriu identifikohet që është Gabimtar. Pastaj Zilia dhe Egoja janë një, të dyja kanë një frymë, një metodologji. Njeriu shfaqë zilinë, për shkak se e do veten, egon e tij në rradhë të parë….
Shejtani është mashtrues i njeriut? Po! Por jo më shumë se sa Egoja e njeriut!
Shejtani është i rrezikshëm, por jo sa nefsi – egoja e njeriut!
Shejtani e mashtron njeriun, e ngacmon, por nuk ka aq strategji dhe politikë ai, që ta bëj këtë, sa ka shejtanllëqe Egoja e njeriut.
E di sa njerëz paraqiten të mirë, e krejt një jetë të tërë e fshehin pas egos së tyre.
Njëri tha: “Mos më lavdëroni se edhe unë jam si ju!” Tjetri tha: “Oh më kanë lodhur këto telefonata të shumëta! Pra, nëpërmjet këtyre ankesave, ata fshehin egon e tyre. Egoja e nxit njeriun në mirësi të shumëta, e nëse pronari i saj, njeriu nuk ia njeh strategjitë asaj, ai në fund, (jeume tubla serair) kur të zbulohen sekretet, mbetet duarthatë.
P.sh. i thua njërit që shfaqë devotshmëri, dituri për hirë të Zotit, “këtu nuk e ke të saktë”! E sheh, menjëherë, si fryhen damarët e tij, e si i humbë ngjyra e fytyrës… pra, e sheh tani, se si shpërthen vullkani i egos së tij, të cilën ai e ka mbajtur të fshehur kohë të gjatë. Sepse, kjo është drejtëpërsëdrejti mbrotje e interesit të tij Personal. Pra ai tërë punët i ka ndërtuar mbi Egon e tij. Po edhe ai tjetri, që shfaqet shumë modest para njerëzve, këtë e fsheh pas egos, që të thonë për të: “Sa modest ishte ky njeriu!” E kështu me rradhë, pra, këto mashtrime i di Egoja, e shejtani nuk ka aq aftësi të depërtojë kaq thellë tek njeriu.
Shejtani e mashtron njeriun – Fakt i Pamohueshëm!
Egoja e mashtron njeriun – Fakt i Pamohueshëm!
Por e dyta, mbetet shumë herë më e fortë e se e para!
Po pse Egoja të jetë më e fortë se shejtani? Për shkak se shejtani në periudha të shkurtëra hiqet nga njeriu, e njeriu mbetet me… sprovën e tij, me të cilën pashmangshëm duhet të përballet, ballafaqimi me të cilën quhet Sfidë e vërtetë, e fitorja në këtë ballafaqim, shfaqë dhe qartëson Besimin dhe fetarinë e Vërtetë, Lumturinë e Vërtetë dhe Parajsën e Përjetshme! Njeriu tërë jetën e ka në sprovë, e sprovë më të madhe për të se sa Vetja, Egoja e tij nuk gjenë askund…
Dy organet e para që do të shkatërrohen brenda njeriut, do të jenë organi seksual dhe barku. Pasi në këto të dyja e ka vendqëndrimin Egoja, kënaqësia epshore. Kur t’i fryhet ndonjërit egoja, e ndjenë atë nga fundi i barkut, mu aty, ku qëndrojnë emocionet dhe ndjenjat seksuale. Ndaj dhe ato do të shkatërrohen e kalben të parat, sepse, ato ishin që e shkatërruan njeriun dhe shpirtin e tij, sa ishte brenda trupit. Pasiqë, shpirti del, atëherë Egoja fillon të rrënohet!
Nefsi përshpërit kah e keqja. I jep dyshime njeriut gjithmonë. Ajo i dha edhe Ibrahimit alejhis-selam. Sepse Ibrahimi a.s. kishte mosrehati, mospërmbushje, në rringjalljen e krijesave nga ana e Zotit. E Allahu e pyeti “A nuk po beson o Ibrahim?” “Posi (bela), por dua që të më qetësohet zemra ime!”. E Zoti i njeriut, që ia di fshehtësitë atij, i tha: “merri katër shpezë, ndaji ato, preji dhe më pas vëndoji në një vend të caktuar, dhe pastaj thirri, dhe kuptoje më pas se Allahu është i mundshëm për gjithçka!
Pra, çfarë Allahu çfarë i tha Ibrahimit?! I tha falu, i tha, thuaj eudhu bilahi minesh-shejtani raxhim?! Që të të largohet shejtani, sepse ai po përshpërit në veshin tënd?!! Joo! I dha atij Allahu Agument Logjik. Sepse Zoti i madh e di se nga i vijnë luhatjet njeriut, ndaj dhe ia tregoj rrugën profetit të Tij. Po sa njerëz sikur Ibrahimi alejhis-selam vuajnë nga luhatjet, përshpëritjet, dyshimet, e kryejnë adhurime të shumëta, duke ia lënë fajin shejtanit të çmendur, e nuk ikin të marrin e ta ushqejnë logjikën e tyre me argumente bindëse, ta qetësojnë e ta ngopin egon e tyre, sepse ajo është sprovë – fitne për Shpirtin e Njeriut?!!!!
Rasti i një bixhozxhiut. Të cilin e trajnonin me rukje. T’ia nxjerrin shejtanët nga trupi, se ato e nxisin për bixhoz. Po shejtani as s’u shfaqë, e ai as nuk u shërua. Sepse, ajo që e nxit atë për bixhoz, është mospërmbushja e qejfeve me para që nga fëmijëria e tij e hershme, krahasimet e tij me fëmijët e tjerë…. e të tjerë, e të tjerë faktorë psikologjik që kanë ndikuar deri në atë stad, që ai të bëhet nesër një bixhozxhi i vazhdueshëm.
Hatim El-Esem thoshte: “Uni im është i lidhur për mua, mëkatet janë dizulizioni im, shejtani është armiku im, ndërkaq unë hjek dorë nga uni im!”
Kur sahabët i thanë Profetit (paqja qoftë mbi të) se neve na vijnë dyshime, vesvese. Profeti Muhammed nuk u tha se i keni nga djalli, por u tha “Këto i keni nga imani i fortë i juaji!
E vërtetë. Sepse njeriu sa më shumë ta dashuroj një gjë, i shtohet gajleja dhe frika, që shoqërohet me vesvese në mos humbjen e saj. Kjo është natyra njerëzore!
A keni vënë re ata që janë shumë pedantë, të pastër, të krehur, të veshur, ata nuk janë vesvese në asgjë, vetëm në atë që të mos u përlyen teshat ndokund, çastë pas çastit ata i shohin teshat e tyre.
Ata që i sulmon ataku i panikut, si rezultat i frikës se mos këtë çastë, çastin tjetër, ata do të vdesin, nëse bisedoni me ta thellë, do të kuptoni se njëra ndër arsyet e kësaj vesveseje që u ka ardhë, kanë qenë çastet më të rehatshet, çastet e komoditetit, kënaqësisë, pra, menjëherë brenda unit të tyre lind frika, “po sa mirë jam duke jetuar!”, “po nëse e humbasë jetën”..?!!!!!!
Atyre që u ka dalë jeta komplet nga qejfi, pyetni a e kanë këtë vesvese?!!!
Edhe ai tjetri, që e do shumë gruan, apo anasjelltas, i lindë dyshimi, obsesioni dhe vesveseja se “po nëse më tradhëton!” edhe nga këtu shpërthen tek ai frika, rrahja e zemrës, hutia… pra, sepse në pavetëdijen e tij, janë regjistruar dhe inçizuar dhe ndjenjat më të imëta në raport me këtë person, dhe uni frikësohet mos ta humbasë…. Po ato çiftet që kanë raport të ftohët ndërmjet vete, a e kanë këtë vesvese se mos e humbasin njëri-tjetrin?! Joo! Fare, hiç! Kurse ca të ngratë, enden nëpër fallxhorë, yshtarë, e më vonë barna, sepse barnat me substancë nartotike, do t’ia heqin vesveset, duke e bërë të paaftë për jetë! Imagjino, këtë absurditet, këtë paradoks!! Pra, njeriu frikësohet të mos i humbasë gjërat që ai i do fortë!
Thuhet se ca njerëz të mirë të hershëm, thoshin se lufta me Egon është më e shtrenjtë se lufta me jobesimtarët, për shkak se lufta me këta të fundit, është vakt pa vakt, kurse lufta me egon është në çdo sekondë. Në çdo sekondë ajo ndryshon.
“Zot na ruaj nga e keqja e veteve tona!” – thoshte Profeti Muhammed!
Si ta kuptojmë kur e kemi përshpëritjen djallëzore e kur të egos tonë?
Lehtë. Bëj një thellim në vete. Thellohu në veten tënde thellë e më thellë, analizoje mirë përshpëritjen e do ta kuptosh. E pastaj lexo Kuran, bën dhikër, e nëse nuk hiqen përsëri, atëherë s’do mend se është nga vetja jote. Analizo, vetvëzhgo, trajnoje egon, unin tënd!
Egoja mbetet faraon i vogël!
Për vërejtjet më shkruani! Selamun Alejkum!
Përzgjodhi dhe përshtati: Agron Islami

 

About The Author

Number of Entries : 448

Leave a Comment

© Copyright MjekuMusliman 1435/2014, All Rights Reserved

error: Tё gjitha tё drejtat autoriale i takojnё faqes\' \\\\\'MjekuMusiman\\\\\'. Pёr mё shumё kontakto: dr.abdurrezak@hotmail.com
Scroll to top